Ky udhëzues paraqet kushtet, procedurat dhe kriteret për dhënien në shfrytëzim të hapësirave të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, duke ofruar një pasqyrë të rregullt dhe të kuptueshme për mënyrën se si këto hapësira mund të përdoren në funksion të aktiviteteve kulturore, akademike dhe krijuese.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës ofron më shumë se 500 vende në sallat e leximit, duke siguruar një ambient të qetë dhe të këndshëm për përdoruesit e saj.
Këndi Amerikan ofron një burim të pasur informacioni dhe materiale mbi kulturën, historinë dhe traditat amerikane. Përdoruesit mund të kenë qasje në libra, revista dhe burime multimediale, duke ndihmuar në promovimin e një kuptimi më të thellë të shoqërisë amerikane.
Në hyrje të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ndodhet Holli kryesor, një hapësirë madhështore me dysheme mermeri, dhe me kupolën më të madhe të Bibliotekës, e cila ndriçon çdo kënd të saj. Ky holl përfaqëson stilin e veçantë të ndërtesës, duke përshëndetur vizitorët që hyjnë në botën e dijes dhe kulturës.
Biblioteka e të Verbërve është një hapësirë e dedikuar për individët që kanë probleme me shikimin, duke ofruar një gamë të gjerë shërbimesh dhe materialesh të aksesueshme që përmbushin nevojat e kësaj kategorie të veçantë përdoruesish.
Biblioteka personale e Fehmi Aganit, përmban rreth 2 758 njësi fizike, prej tyre 2 075 tituj librash, 68 tituj revistash, si dhe disa dorëshkrime. Përveç librave, biblioteka përmban edhe inventarin personal të tij, vitrinën, raftet, tavolinën e punës, karrigen, llambën dhe disa fotografi me vlerë dokumentare, historike dhe kombëtare.
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ndodhet Amfiteatri i Madh, i krijuar për të qenë skena ideale e ngjarjeve kulturore dhe akademike. Me një dizajn unik që ndërthur estetikën me funksionalitetin – ku fasada prej druri në formë kupolash përmirëson akustikën – kjo hapësirë ofron kushte të shkëlqyera për konferenca, prezantime e performanca artistike.
Biblioteka personale e Adem Demaçit, është një trashëgimi e rëndësishme që përfshin 1 258 njësi libra si dhe shumë mirënjohje, dekorata, dhurata dhe objekte të tjera personale, që pasqyrojnë jetën dhe veprën e këtij heroi të Kosovës.
Biblioteka personale e Hasan Mekulit, përmban mbi 5 831 tituj librash dhe revistash, kryesisht letërsi botërore. Përpos këtij koleksioni të rrallë e të vlefshëm, BKK-së iu dhuruan edhe disa objekte personale të tij, si vitrinat, tavolina e punës, çantat e dorës, fotot e tij personale.
Amfiteatri i vogël në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ofron një hapësirë moderne, ideale për organizimin e ngjarjeve kulturore, edukative dhe profesionale me pjesëmarrje më të vogël.
Biblioteka personale e Esad Mekulit, është një pasuri e madhe kulturore dhe historike. Kjo bibliotekë mban në vete kujtime të paharruara nga jeta dhe veprimtaria e shkrimtarit dhe intelektualit të shquar, krijimtarinë e tij letrare, dokumente historike të kohës, mirënjohje të shumta, dhurata të ndryshme që ka marrë gjatë jetës dhe fletore ku ka shënuar mendimet e tij të thella.
Krist Maloki ka lënë një bibliotekë të pasur me vlera albanologjike, e cila është një burim i rëndësishëm për studimet e kulturës dhe historisë shqiptare. Sa ishte gjallë kishte lënë porosinë, që bibliotekën personale të tij t’ia dhuronin Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Koleksioni i tij përmban rreth 508 tituj me gjithsej 536 njësi fizike, të cilat janë përpunuar dhe regjistruar në katalogun elektronik.
Biblioteka e Artit Bashkëkohor, në kuadër të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, është një nga burimet kryesore për studimin e historisë dhe të teorisë së artit dhe të disiplinave të ngjashme, veçanërisht për artin e kohës moderne dhe bashkëkohore.