Sistemi i ISBN-së (Numri Standard Ndërkombëtar i Librit) në nivel ndërkombëtar ka filluar të funksionojë në fillim të vitit 1970. Ky sistem është zhvilluar dhe vijon të zhvillohet, të ruhet dhe të koordinohet vite me radhë nga Agjencia Ndërkombëtare e ISBN-së.
Selia e Agjencisë Ndërkombëtare të ISBN-së për disa dekada ka qenë e vendosur në Berlin. Nga viti 2006 kjo agjenci ka ndërruar vend dhe është vendosur në Londër. Tani rreth 160 vende të botës janë të integruara në mënyrë aktive në sistemin e ISBN-së, mes tyre vendeve, që nga viti 2001, gjendet edhe Kosova.
Sistemi i ISBN-së u zhvillua në kohën kur kompjuterët u bënë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm në botë. Një numër i tillë ndërkombëtar ishte zgjidhje ideale në kohën e kompjuterizimit. Kështu, për nevoja të ndryshme në procesin e qarkullimit të librit, në vend që të bëhen përshkrime të gjata bibliografike, është i mjaftueshëm numri me vetëm disa shifra.
Agjencia Kombëtare e ISBN-së funksionon brenda Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Ajo përkrah në mënyrë të vazhdueshme botuesit e Kosovës për integrimin e tyre në sistemin e ISBN-së dhe pajisjen e botimeve të tyre me këtë numër.
Agjencia Kombëtare e ISBN-së:
- Përkrah pjesëmarrjen në sistemin e ISBN-së në vend;
- Vendos marrëdhënie bashkëpunimi me botuesit;
- Alokon identifikuesit për botues dhe mban regjistrin e botuesve dhe identifikuesve të tyre;
- Informon botuesit për implementimin e sistemit në mënyrë korrekte dhe të përshtatshme;
- Siguron materiale dhe burime të cilat ndihmojnë në implementimin korrekt të ISBN-së;
- Informon botuesit për gabimet në përdorimin e ISBN-së;
- Mban relacione me Agjencinë Ndërkombëtare të ISBN-së në interes të botuesve të vendit;
- Raporton rregullisht pranë Agjencisë Ndërkombëtare të ISBN-së.