Të enjten, më 28 maj 2026, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Dr. Blerinë Rogova Gaxha, bashkë me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Poloni, z. Drilon Gashi, si dhe shkrimtarin Arben Idrizi, kandidat për Çmimin Evropian për Letërsi (EUPL) 2026, zhvilluan një takim në Bibliotekën Kombëtare të Polonisë me drejtorin e institucionit, dr. Tomasz Makowski, dhe përfaqësuesin e tij, dr. Maciej Szablewski.
Dr. Maciej Szablewski, përfaqësues i drejtorit për çështje ndërkombëtare dhe udhëheqës i Departamentit të Shërbimeve për Shfrytëzimin e Koleksioneve, e shoqëroi delegacionin nga Kosova nëpër sallat e leximit, duke prezantuar organizimin e punës, mënyrën e funksionimit të bibliotekës dhe rregullat e përdorimit të koleksioneve.
Ai prezantoi gjithashtu historinë e Bibliotekës Kombëtare të Polonisë dhe projektet kryesore që po zhvillohen aktualisht nga ky institucion.
Më pas, delegacioni u takua me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Polonisë, dr. Tomasz Makowski. Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet bibliotekave kombëtare të Kosovës dhe Polonisë, si dhe shkëmbimi i përvojave në fushën e shërbimeve moderne bibliotekare, digjitalizimit dhe katalogimit të koleksioneve, si dhe për rolin e bibliotekave kombëtare në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, promovimin e leximit dhe shkëmbimin ndërkombëtar të përvojave.
Fotografitë nga Pawel Morawiec, Biblioteka Kombëtare e Polonisë



