ZBATIMI I TYRE NË PLATFORMËN KOHA (ILS)
Në praktikën bashkëkohore bibliotekare organizimi i saktë i informacionit bibliografik përbën një element thelbësor për qasjen, kërkimin, identifikimin dhe shkëmbimin efikas të të dhënave ndërmjet institucioneve bibliotekare. Në këtë kontekst, standardi MARC 21 përfaqëson një nga formatet më të rëndësishme ndërkombëtare për kodimin, strukturimin dhe shkëmbimin e të dhënave bibliografike, duke mundësuar unifikimin e praktikave të katalogimit dhe ndërveprimin e sistemeve bibliotekare në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ky manual shpjegon fushat kryesore të formatit bibliografik MARC 21 dhe zbatimin e tyre në platformën Koha (ILS), duke u mbështetur në shembuj konkretë nga praktika e përditshme e katalogimit. Përmbajtja e tij mbështetet në standardet ndërkombëtare të katalogimit dhe në përvojën shumëvjeçare profesionale në fushën e katalogimit.
Gjatë hartimit të manualit është përdorur standardi MARC 21, duke u mbështetur në burimin zyrtar, Library of Congress – MARC 21 Format for Bibliographic Data, i cili shërben si referencë themelore për strukturën e
fushave dhe nënfushave bibliografike. Shembujt dhe procedurat e përshkruara bazohen në zbatimin praktik të këtyre fushave në sistemin e integruar bibliotekar Koha Koha Integrated Library System (ILS), i cili mbështet
katalogimin sipas standardit MARC 21.
Në këtë manual paraqiten fushat më të përdorura të skemës MARC 21 në platformën Koha, me shembuj konkretë të fushave të përbashkëta për të gjitha llojet e materialeve bibliotekare, me theks të veçantë në koleksionin e librave. Në fund të manualit janë përfshirë edhe fusha më specifike që përdoren për lloje të veçanta materialesh bibliotekare, si periodikët, disertacionet, dorëshkrimet dhe koleksionet e tjera të specializuara. Këto
fusha janë paraqitur për qëllime orientuese dhe referuese, me synim për t’u ardhur në ndihmë kataloguesve në trajtimin e materialeve që kërkojnë përshkrim bibliografik më të specializuar.
Manuali përfshin fushat MARC 21 nga 001 deri te fusha 952 dhe shërben si një udhëzues praktik për katalogimin e materialeve bibliotekare në platformën Koha. Çdo fushë është shpjeguar përmes përshkrimit të funksionit të saj, përdorimit të indikatorëve, nënfushave përkatëse dhe shembujve konkretë të zbatimit në praktikë.
MANUAL PRAKTIK I FUSHAVE KRYESORE TË MARC 21 DHE ZBATIMI I TYRE NË PLATFORMËN KOHA (ILS)