Sot para jurisë së çmimit të Bashkimit Evropian për Letersi (EUPL) u prezantua vepra “Njeriu që habitej dhe tregime të tjera” e autorit Arben Idrizi, ku drejtoresha e BKK-së, Dr. Blerina Rogova Gaxha, paraqiti arsyet pse kjo vepër meriton vlerësimin e EUPL-së.
Në takim përpos përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse, mori pjesë edhe botuesi Ataol Kaso nga shtëpia botuese Pika pa sipërfaqe, botues e librit të Idrizit, i cili po ashtu prezantoi veprën dhe u përfshi në një diskutim të gjerë rreth tematikës, stilit letrar dhe rëndësisë së saj në kontekstin bashkëkohor evropian.
Gjatë prezantimit, drejtoresha e BKK-së e cilësoi Arben Idrizin si një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqiptare:
“Arben Idrizi qëndron si një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë bashkëkohore shqiptare, një poet që u jep gjuhë realiteteve të copëtuara të një shoqërie të formësuar nga lufta, tranzicioni dhe paqja e brishtë.
Shkrimi i tij buron nga thellësia e përvojës së jetuar, duke lëvizur në terrenin kompleks mes kujtesës dhe traumës, pafajësisë dhe humbjes, heshtjes dhe rezistencës. Me një zë të përmbajtur, por thellësisht prekës, Idrizi i shndërron historitë personale dhe kolektive në meditime të fuqishme poetike mbi atë çfarë do të thotë të qëndrosh, të kujtosh dhe të ekzistosh.”
“Si poet i pasluftës, Idrizi ndërton një rezistencë lirike të heshtur, por të thellë, një revoltë të qetë kundër padrejtësisë, zhdukjes dhe fateve të imponuara. Poezia e tij flet butë, por mbart peshën e historive të pathëna dhe plagëve ende të pashëruara.”
Në prezantim u veçua edhe përvoja e Idrizit në gazetari, e cila, sipas drejtoreshës, e ka mprehur ndjeshmërinë e tij ndaj së vërtetës, gjuhës dhe realitetit shoqëror, duke i dhënë veprës një forcë të veçantë reflektuese dhe kritike.
“Në fund, ajo që e bën zërin e Idrizit vërtet të veçantë është aftësia e tij për të tejkaluar lokalen dhe për të folur në mënyrë universale. Në poezinë e tij, personalja bëhet kolektive, ndërsa përvoja shqiptare shndërrohet në një reflektim të fuqishëm të gjendjes njerëzore.”
Prezantimi u përqendrua te romani Njeriu që habitej, ku dhuna trajtohet jo vetëm si pasojë e luftës së Kosovës, por si një fenomen universal që prek vetë qenien njerëzore.
Në qendër të narrativës qëndron Isak Kodra, një i mbijetuar masakre, i cili nuk arrin të çlirohet nga përvoja e mbijetesës, por shndërrohet në viktimë të një mekanizmi më të gjerë shoqëror dhe kulturor. Përmes tij, romani ngre pyetjen thelbësore:
“A mundet një njeri, edhe nëse nuk ka bërë asnjë të keqe dhe vetëm ka vuajtur, të vazhdojë të mbetet njeri pas një përvoje të tillë?”
Në përmbyllje, drejtoresha e BKK-së theksoi se Njeriu që habitej është një vepër që sfidon lexuesin të rishqyrtojë natyrën e dhunës, kujtesës dhe vetë kuptimin e të qenit njeri.
Përfaqësuesit e secilit shtet pjesëmarrës kishin në dispozicion nga 30 minuta për të paraqitur autorin dhe veprën konkurruese.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve mbahet nesër duke filluar nga ora 18:30.
