Biblioteka Kombëtare e Kosovës pati nderin të mirëpriste sot kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi, i shoqëruar nga zëvendëskryetari i Akademisë, akademik Vasil Tole, akademik Anastas Angjeli dhe akademike znj. Anila Hoda. Delegacioni u mirëprit nga drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, znj. Blerina Rogova Gaxha, së bashku me stafin e institucionit.
Gjatë vizitës, delegacioni u shoqërua nga kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademike Justina Shiroka-Pula, si dhe akademiku Bardh Rugova.
Në kuadër të kësaj vizite, mysafirët u njohën me veprimtarinë, koleksionet dhe fondet e veçanta të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ata vizituan Bibliotekën e Artit Bashkëkohor, Bibliotekën e Muzikës, Bibliotekën Personale të Esad Mekulit, si dhe Qendrën e Digjitalizimit, ku u informuan mbi proceset dhe standardet bashkëkohore të ruajtjes, konservimit dhe digjitalizimit të trashëgimisë dokumentare.
Vizita u zhvillua në një frymë të shkëlqyer bashkëpunimi akademik dhe institucional, duke shërbyer si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave profesionale ndërmjet dy institucioneve homologe.















