Poema epike “La Scanderbeide” (1623), e autores italiane Margherita Sarrocchi, e njohur si vepra e parë epike e shkruar nga një grua, u prezantua sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Hapjen e aktivitetit e bëri Prof.Dr.Majlinda Bregasi, ndërsa me një fjalë rasti të pranishmit i nderuan edhe Ambasadori i Italisë në Republikën e Kosovës, z. Maurizio Antonini, si dhe drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, znj. Blerina Rogova Gaxha.
Botimi i parë i plotë i veprës “La Scanderbeide”, I përgatitur nga studiuesja italiane Prof.Dr.Olimpia Gargano u prezantua nga vetë studiuesja për të pranishmit. Prof.Dr. Olimpia Gargano është hulumtuese në Université Côte d’Azur, e njohur për studimet e saj mbi imazhin e Shqipërisë në kulturën evropiane nga shekulli XVI deri në shekullin XX.
Ndërkohë, historiani i njohur italian Prof.Dr.Giuseppe Gargano prezantoi projektin “Itineraret Kastriotiane” në Amalfi. Gargano është studiues i historisë mesjetare dhe autor i shumë botimeve mbi historinë politike, ekonomike, detare dhe urbanistike të Amalfit, si dhe bashkëpunëtor i universiteteve italiane dhe ndërkombëtare.
Në kuadër të kësaj ngjarjeje u inaugurua edhe ekspozita “Këndo, o muzë, trimërinë” – Shqipëria, Italia dhe Perandoria Osmane në poemën e parë epike femërore evropiane, duke sjellë para publikut një urë të rëndësishme kulturore dhe historike ndërmjet dy vendeve.
Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim mes Institutit të Gjuhës dhe të Kulturës Italiane të Universitetit të Prishtinës, Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Ambasadës së Italisë në Prishtinë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit në Kosovë.
Biblioteka Kombëtare falënderon të gjithë bashkëpunëtorët, veçanërisht Prof.Dr. Majlinda Bregasi nga Instituti i Gjuhës dhe i Kulturës Italiane, falë angazhimit dhe bashkëpunimit të së cilës ky organizim u bë i mundur.















