Në kuadër të promovimit dhe zbatimit të Strategjisë së Drejtësisë Tranzicionale, u mbajt një punëtori tematike e fokusuar në rolin e institucioneve kulturore dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë proces.
Gjatë punëtorisë u diskutua për kontributin e bibliotekave dhe institucioneve të tjera kulturore në dokumentimin, ruajtjen dhe promovimin e së vërtetës, si dhe për rolin e tyre në mbështetjen e viktimave për qasje në drejtësi. Po ashtu, pjesëmarrësit shqyrtuan mundësi konkrete për zhvillimin e aktiviteteve edukative dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe stafi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, i cili kontribuoi në diskutimet lidhur me rëndësinë e dokumentimit të kujtesës kolektive, qasjen në burime informative dhe promovimin e vlerave të së vërtetës dhe drejtësisë përmes programeve edukative dhe ndërgjegjësuese.
Punëtoria shërbeu gjithashtu si platformë për njohjen më të detajuar me përgjegjësitë që rrjedhin nga Strategjia për Drejtësi Tranzicionale dhe për identifikimin e hapave konkretë drejt një zbatimi më efektiv, të koordinuar dhe në përputhje me parimet e drejtësisë tranzicionale.


