Sot, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, u mbajt takimi përkujtimor dhe nderues kushtuar shkrimtarit, studiuesit, profesorit universitar dhe akademikut Rexhep Qosja, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij.
Takimin e hapi drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Dr. Blerina Rogova Gaxha, duke theksuar rëndësinë e trashëgimisë së akademikut Rexhep Qosja.
Në këtë aktivitet përkujtimor morën pjesë personalitete të jetës kulturore, akademike dhe institucionale të vendit. Ligjëratën përkujtimore e mbajti Dr. Ag Apolloni, profesor universitar dhe ish-student i akademikut Qosja, duke ndriçuar dimensionet e shumta të veprës dhe personalitetit të tij.
Të pranishmëve iu drejtua me një fjalë rasti edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili vlerësoi figurën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Rexhep Qosjes në letërsinë, kulturën dhe mendimin shqiptar.
Një moment i veçantë i ngjarjes ishte interpretimi i testamentit të Rexhep Qosjes nga aktori i mirënjohur Avni Dalipi, i cili e lexoi atë para pjesëmarrësve, duke përcjellë mesazhet dhe vlerat që akademiku la trashëgim për brezat e ardhshëm.
Takimi u zhvillua në frymën e respektimit të vullnetit të Rexhep Qosjes dhe shërbeu si një homazh i denjë për jetën, veprën dhe trashëgiminë e njërit prej personaliteteve më të shquara të kulturës dhe mendimit shqiptar.










