Instituti i Historisë i Kosovës “Ali Hadri”, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, organizoi ekspozitën dokumentare me titull “Rezistenca në Kosovë 1980–1999 përmes shtypit të fshehtë”, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Ekspozita paraqet një rrugëtim dokumentues përmes botimeve të fshehta që qarkulluan në Kosovë gjatë periudhës 1980–1999 – një periudhë e karakterizuar nga rezistenca politike, kulturore dhe qytetare, si dhe nga përpjekjet e vazhdueshme për ruajtjen e identitetit kombëtar, të drejtës për informim dhe lirisë së shprehjes.
Përmes materialeve të ekspozuara vizitorëve u ofrohet mundësia të njohin nga afër format e organizimit intelektual e shoqëror që zhvilloheshin jashtë kanaleve zyrtare të kohës. Këto materiale përfaqësojnë dëshmi të rëndësishme historike dhe dokumentare mbi rolin që shtypi i fshehtë pati në ruajtjen e vetëdijes kolektive dhe në artikulimin e kërkesave për liri dhe të drejta politike në Kosovë.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Institutit të Historisë të Kosovës dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, me qëllim promovimin e kujtesës historike, vlerave dokumentare dhe qasjes publike ndaj burimeve që dëshmojnë zhvillimet historike të vendit.












