Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Biblioteka Kombëtare Széchényi e Hungarisë kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit përmes projekteve të përbashkëta kulturore, shkëmbimit të stafit dhe trajnimeve profesionale në fushën e digjitalizimit.
Ky bashkëpunim u bë i mundur falë angazhimit të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Hungari, z. Delfin Pllana, të cilin e falënderojmë për iniciativën dhe mbështetjen në realizimin e këtij bashkëpunimi dhe kësaj vizite.
Memorandumi u nënshkrua nga drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Dr. Blerina Rogova Gaxha, dhe drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare Széchényi, znj. Judit Gerencsér.
Në takim, përveç përfaqësuesve të dy institucioneve morën pjesë edhe sekretari i Ministrisë së Kulturës në Kosovë, z. Bislim Bislimi, si dhe përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme të Hungarisë.
Gjatë vizitës delegacioni pati mundësinë të njihet nga afër me punën e institucionit, shërbimet për përdoruesit, proceset e digjitalizimit, si dhe mënyrat e ruajtjes së koleksioneve bibliotekare.
Nënshkrimi i memorandumit shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes dy bibliotekave dhe zhvillimit të lidhjeve kulturore mes Kosovës dhe Hungarisë.





