Dje, për herë të parë në Kosovë, u mbajt Takimi i Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare të Evropës Juglindore.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, nikoqire e këtij takimi, Dr. Blerina Rogova Gaxha, bashkë me z. Bekim Aliu, u.d. drejtor i Departamentit të Shërbimit për Përdorues dhe Zhvillimit Profesional dhe znj. Shqipe Canolli-Haziri, u.d. drejtoren e Departamentit të Zhvillimit dhe Përpunimit të Koleksioneve, mirëpritën drejtorët e Bibliotekave Kombëtare të Evropës juglindore.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Biblioteka Kombëtare e Turqisë, e Bullgarisë, e Maqedonisë së Veriut, e Malit të Zi dhe e Shqipërisë.
Nga Biblioteka Kombëtare e Malit të Zi “Đurđe Crnojević” – Cetinje, morën pjesë z. Ivan Radulović, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Malit të Zi dhe znj. Slađana Sjekloća, Koordinatore për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Bibliotekën Kombëtare të Malit të Zi.
Nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” – Shkup, z. Jovica Nikchevski, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Maqedonisë së Veriut dhe znj. Zorica Jakovleska Spirovska, këshilltare për konservim në këtë bibliotekë.
Nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë – Tiranë, mori pjesë drejtoresha, znj. Majlinda Toçi.
Nga Biblioteka Kombëtare e Turqisë morën pjesë z. Mehmet Demir, zëvendësdrejtor i Bibliotekës Kombëtare të Turqisë; z. Mehmet Laçinkaya, Udhëheqës i Departamentit të TI-së, dhe Filiz Berna Gultekin, Head of Technical Services Department.
Ndërsa, nga Biblioteka Kombëtare “Shën Kirili dhe Metodi” – Sofje, Bullgari, mori pjesë z. Svetoslav Nikolov, udhëheqës i Njësisë për Sigurimin Informativ të veprimtarive bibliotekare.
Këta përfaqësues prezantuan praktikat e institucioneve të tyre në fushën e avancimit të teknologjisë, digjitalizimit të koleksioneve, si dhe iniciativat për përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) në shërbimet bibliotekare.
Diskutimi u fokusua në praktikat e secilit institucion, me qëllim të zgjerimit të bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve në fushën e inteligjencës artificiale, digjitalizimit dhe lehtësimit të shërbimeve për përdoruesit përmes aplikimit të teknologjisë.
Ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe diskutimi për vendin nikoqir të takimit të vitit të ardhshëm. Me këtë rast, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë paraqiti kandidaturën për organizimin e takimit të ardhshëm të SEENL-së. Temat dhe diskutimet e ardhshme do të zhvillohen në bazë të zhvillimeve të reja në këto fusha.
Duke falënderuar secilin pjesëmarrës për kontributin e dhënë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës e përmbylli me sukses Takimin Vjetor të Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare të Evropës Juglindore.



















